Kanë dalë detaje të reja lidhur me një nga tre vajzat e përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier, ngjarje e ndodhur më 8 qershor dhe e bërë publike së fundmi pas publikimit të videos në rrjetet sociale.
Sipas informacioneve, 15-vjeçarja kishte marrë trajtim për herë të parë në Psikiatrinë e Fëmijëve dhe Adoleshentëve në muajin maj të këtij viti. Në raportin mjekësor thuhet se ajo ishte paraqitur për shkak të sjelljeve të dhunshme në familje, duke dëmtuar objekte në banesë.
Në dokumentin mjekësor theksohet se e mitura kishte shfaqur sjellje të dhunshme edhe ndaj nënës, ndërsa problematikat e sjelljes kishin rreth një vit që ishin evidentuar. Po ashtu, sipas raportit, 15-vjeçarja nuk frekuentonte shkollën prej një viti dhe kalonte pjesën më të madhe të kohës në shoqërinë e vajzave më të rritura.
Mjekët kanë konstatuar se gjatë qëndrimit në spital ajo ishte bashkëpunuese me stafin shëndetësor dhe gjatë ekzaminimeve, ndërsa komunikimi me nënën ishte i vështirë. Sipas raportit, e mitura është larguar nga spitali kundër këshillës së mjekëve.
Ndërkohë, prindërit e një prej vajzave të përfshira në ngjarje deklaruan se vajza e tyre ishte diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor tre muaj më parë dhe se kishin kërkuar prej kohësh ndihmë nga institucionet për trajtimin e saj.
Me lot në sy, nëna i kërkoi falje publike 17-vjeçares së dhunuar dhe familjes së saj, duke theksuar se nuk synon të justifikojë veprimet e së bijës, por kërkon që krahas përgjegjësisë ligjore të mos neglizhohet nevoja për trajtimin e problemeve të saj shëndetësore.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë. Sipas Policisë, tri vajzat janë nën hetim për dhunimin e 17-vjeçares, ndërsa njëra prej 15-vjeçareve u arrestua më 28 qershor edhe pas kallëzimit të nënës së saj për dhunë në familje dhe është dërguar për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.


