Policia e Tiranës ka identifikuar 12 persona të dyshuar si të përfshirë në aktet e dhunshme të ndodhura më 4 korrik pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, gjatë një tubimi protestues.
Sipas njoftimit zyrtar, një person është arrestuar, katër janë shpallur në kërkim, ndërsa shtatë të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia bën me dije se, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, u ndalua me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç, ndërsa u proceduan penalisht shtetasit me iniciale K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.. Katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet publik për shkak të vijimit të hetimeve.
Sipas Policisë, gjatë tubimit u kryen veprime të dhunshme ndaj punonjësve të policisë dhe godinës së Komisariatit Nr. 3. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


