Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së hënës në zonën e ish-Kënetës, në Durrës, ku një motomjet me dy persona ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Si pasojë e aksidentit, të dy personat kanë mbetur të lënduar, ndërsa njëri prej tyre është transportuar me urgjencë në spital dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhet në gjendje kritike.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vala e Detit”, ku banorët e zonës prej kohësh denoncojnë mungesën e ndriçimit publik dhe sinjalistikës rrugore. Sipas tyre, aksidente të ngjashme janë regjistruar vazhdimisht në këtë segment, duke e bërë atë një pikë me rrezik të lartë për qarkullimin.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat nxorën të lënduarit nga kanali dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.


