Një prej organizatorëve të protestave kundër qeverisë, Andi Tepelena, ka deklaruar nga protesta e 37-të para Kryeministrisë se deklaratat e ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, përbëjnë një mbështetje për protestën paqësore të qytetarëve.
“Sot kemi marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i shtetit më të fuqishëm të BE-së, Gjermanisë. Prej 37 ditësh po zhvillojmë një revoltë paqësore qytetare për largimin e Edi Ramës. Ambasadori komentoi protestat paqësore që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar pjesë të vlerave evropiane. ‘Çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me vlerat e BE-së është i mirëpritur, protesta e dhunshme nuk janë pjesë e vlerave të BE. Dhe se kush ka faj për dhunën e ushtruar është ende në diskutim.’ Me këto fjalë ambasadori gjerman na jep një mbështetje të qartë dhe të fuqishme për protestën tonë paqësore. Ai e sheh si pjesë të vlerave evropiane dhe si e drejtë e qytetarëve që të kërkojnë ligj e drejtësi”,- tha Tepelena.
Më herët gjatë ditës, ambasadori Karl Bergner u shpreh:
“Çdo aktivitet nga shoqëria civile që është në përputhje me BE, dhe protestat e dhunshme qartazi nuk janë në përputhje me vlerat e BE. Kush duhet fajësuar për të është ende në diskutim. Protestat janë të mirëpritura sepse mbështesin vlerat e BE siç i shohim ne”.
Në vijim të fjalës së tij, Tepelena deklaroi se protesta do të vazhdojë dhe se, sipas tij, nëse ruan të njëjtën qëndrueshmëri, qeverisja aktuale do të përfundojë.
“Shumë pyesin çfarë do të ndodhë me protestën. A ju kujtohet që para një muaji ky ishte një mbret i fuqishëm, sot i është diskredituar në sytë e qytetarëve dhe botës demokratike. Sot Edi Rama është ky figurë politike, pas një muaji do të jetë një hiç politik dhe asgjë”,- tha Tepelena.


