Temperaturat e larta të verës po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë aktivitetin fizik në ambiente të hapura, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se stërvitja në kushte të nxehta mund të rrisë rrezikun e lodhjes së rëndë dhe goditjes nga nxehtësia.
Sipas studiuesve, nxehtësia e detyron organizmin të dërgojë më shumë gjak drejt lëkurës për t’u ftohur përmes djersitjes, duke ulur furnizimin me oksigjen të muskujve. Kjo sjell lodhje më të shpejtë dhe shton ngarkesën mbi zemrën.
Ekspertët rekomandojnë që aktiviteti fizik të kryhet në orët e para të mëngjesit ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta. Gjithashtu, këshillohet të zgjidhen zona me hije dhe të shmangen ambientet me lagështi të lartë, pasi djersa avullon më ngadalë dhe trupi e ka më të vështirë të ftohet.

Në ditët me vapë të fortë, është e rëndësishme të reduktohet intensiteti dhe kohëzgjatja e stërvitjes, duke bërë pushime të shpeshta dhe duke u hidratuar vazhdimisht. Specialistët sugjerojnë gjithashtu ftohjen e trupit para dhe pas aktivitetit fizik, përmes ujit të ftohtë ose peshqirëve të lagur.
Një tjetër rekomandim është që organizmi të përshtatet gradualisht me temperaturat e larta. Sipas studiuesve, pas rreth një deri në dy javësh aktiviteti të rregullt në vapë, trupi bëhet më efikas në përballimin e nxehtësisë.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse gjatë stërvitjes shfaqen shenja si marramendje, të përziera, lodhje e fortë ose rrahje të çrregullta të zemrës, aktiviteti duhet të ndërpritet menjëherë dhe personi duhet të ftohet sa më shpejt.


