Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, ku një 19-vjeçar ka rrezikuar të humbasë jetën teksa ndodhej në det.
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak, çka i ka shkaktuar humbjen e ndjenjave në ujë. Ndërhyrja e menjëhershme e stafit mjekësor dhe ekipeve të emergjencës ka bërë të mundur rikthimin e tij në shenja jete.
Pas marrjes së ndihmës së parë në vendngjarje, 19-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr trajtim të specializuar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa gjendja shëndetësore e të riut mbetet ende nën vlerësimin e bluzave të bardha.


