Franca është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 Paraguain në një ndeshje shumë të luftuar të zhvilluar në “Lincoln Financial Field”. Golin e vetëm të takimit e realizoi Kylian Mbappé nga pika e penalltisë, duke i siguruar “Les Bleus” përballjen me Marokun në fazën e tetë më të mirëve.
Paraguai, i cili kishte eliminuar Gjermaninë me penallti në raundin e kaluar, zhvilloi një ndeshje shumë të disiplinuar në mbrojtje dhe arriti të neutralizonte sulmet franceze gjatë pjesës së parë. Pavarësisht dominimit në zotërimin e topit, Franca nuk regjistroi asnjë goditje në portë në 45 minutat e para, ndërsa loja u shoqërua me ndërhyrje të forta dhe tension në fushë.
Në pjesën e dytë, trajneri Didier Deschamps hodhi në fushë Désiré Doué, i cili ndryshoi ritmin e lojës. Në minutën e 66-të, talenti i PSG-së fitoi një penallti pas një depërtimi të bukur në zonë, ndërsa Mbappé u tregua i saktë nga 11 metrat për t’i dhënë avantazhin Francës.
Në minutat e mbetura, Paraguai tentoi të reagojë, por francezët administruan me kujdes epërsinë dhe siguruan biletën për në çerekfinale. Mbappé pati mundësinë të shënonte edhe golin e dytë në kohën shtesë, por portieri Orlando Gill realizoi një pritje të shkëlqyer.

Franca tashmë do të përballet me Marokun në çerekfinale, në një duel që pritet të jetë një nga sfidat më interesante të këtij Botërori.


