Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin rreth projektit të investimit në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit, duke theksuar se toka publike nuk është shitur dhe se çdo zhvillim do të respektojë standardet e Bashkimit Europian.
Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal edhe te intervista e tij për Deutsche Welle, ku tha se disa pretendime mbi projektin janë të pavërteta. Sipas tij, Zvërneci është tokë private, ndërsa Sazani mbetet pronë e shtetit dhe marrëveshja përfundimtare ende nuk është mbyllur.
Kryeministri theksoi se shteti shqiptar do të mbetet pronar i tokës dhe partner në sipërmarrje, ndërsa projekti do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit të Komisionit Europian.
“Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Shteti do të jetë gjithnjë pronar i tokës dhe ortak në sipërmarrje. Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian”, tha Rama.


