Fluks i lartë automjetesh është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Pikën Kufitare të Morinës, ku janë krijuar kolona të gjata për shkak të numrit të madh të hyrjeve në vend.
Sipas informacioneve, ngarkesa më e madhe është shënuar në intervalin orar 05:00–07:00, kur radha e automjeteve ka arritur në disa kilometra.
Fluksi lidhet me lëvizjet e shumta të qytetarëve gjatë fundjavës, veçanërisht të pushuesve dhe emigrantëve që hyjnë në Shqipëri.
Autoritetet kufitare kanë shtuar ritmin e përpunimit të dokumentacionit dhe po punojnë për të shmangur vonesat, me qëllim normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit.
Pavarësisht radhëve të gjata, procedurat në Pikën Kufitare të Morinës vijojnë pa ndërprerje, ndërsa pritet që fluksi të mbetet i lartë edhe gjatë orëve në vijim.


