foto ilustruese
Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në afërsi të fshatit Hotolisht, ku një 42-vjeçar ka humbur jetën pasi automjeti që drejtonte u godit nga një gur i shkëputur nga mali.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se një masiv shkëmbor është shkëputur nga mali dhe ka rënë mbi një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Për shkak të goditjes së fortë, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.
Pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në shkëputjen e gurit dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie.


