Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë, pranë vendit të njohur si Subash.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Seat” me targa të Kosovës ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një fushë anës rrugës.
Në automjet udhëtonte një çift nga Kosova, të cilët kanë mbetur të plagosur si pasojë e aksidentit. Ata janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku po marrin trajtim mjekësor.
Burime bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.


