–Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së premtes një zonë në Shëngjin, ndërsa flakët vijojnë të favorizohen nga era e fortë, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.Sipas informacioneve nga terreni, në operacion janë angazhuar pesë mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Gjatë zhvillimit të zjarrit është regjistruar edhe një shpërthim brenda vatrës së flakëve. Paraprakisht dyshohet se nga shpërthimi një copë guri ka goditur pasagjerin e një automjeti që po lëvizte në drejtim të Shëngjinit.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin e Lezhës, ku po merr ndihmë mjekësore. Gjendja e tij nuk është bërë ende e ditur.

Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të plagosjes, ndërsa operacioni për shuarjen e zjarrit vijon.


