Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj 15 personave, të cilët dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë protestës qytetare të zhvilluar në kryeqytet. Sipas autoriteteve, veprimet procedurale janë kryer pas verifikimeve të zhvilluara në lidhje me tubimin që vijon prej disa javësh.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se personat e proceduar akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Të dyshuarit janë identifikuar me inicialet A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K.
Sipas Policisë, protesta ishte njoftuar të zhvillohej nga ora 19:00 deri në 22:00 në sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por më pas pjesëmarrësit kanë vijuar lëvizjen në disa akse të tjera të Tiranës, përfshirë Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe segmente të Unazës.
Uniformat blu pretendojnë se lëvizja e protestuesve jashtë itinerarit të deklaruar ka shkaktuar bllokim të qarkullimit të automjeteve dhe tejkalim të orarit të miratuar për zhvillimin e tubimit.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar një automjet dhe dy telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale. Dosja i është referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme procedurale.
Fjalët kyçe: protesta në Tiranë, procedohen 15 persona, Policia e Tiranës, protestuesit, bllokim rrugësh, rendi publik, qarkullimi i mjeteve, Prokuroria, tubim, Vrojtuesit News


