foto ilustruese
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet tepër e tensionuar. Një incident i ri detar ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e marrëveshjes, ndërsa të dyja palët shkëmbyen akuza dhe veprime ushtarake.
Sipas raportimeve, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi të gjitha anijet që kalojnë në këtë korridor strategjik detar se duhet të respektojnë rrugët e miratuara nga autoritetet iraniane. Vetëm pak orë më vonë, anija tregtare me flamur të Singaporit Ever Lovely u godit nga një dron iranian, duke shënuar incidentin e parë pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin si një shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, ndërsa forcat amerikane ndërmorën goditje ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit. Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane raportuan se Garda Revolucionare reagoi duke sulmuar objektiva amerikane në rajon, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga SHBA.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Çdo përshkallëzim i situatës në këtë zonë ngjall shqetësime për tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë e transportit detar.


