Bilanci i viktimave nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën ka shkuar në mbi 920 të vdekur, ndërsa më shumë se 3 mijë persona kanë mbetur të plagosur. Ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet intensive për gjetjen e të mbijetuarve, ndërsa koha konsiderohet vendimtare për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet raportojnë se zonat më të prekura janë kryeqyteti Caracas, La Guaira dhe rajonet përreth, ku mijëra banesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda. Shumë familje kanë mbetur pa strehë dhe po kalojnë natën në ambiente të hapura ose në qendra të përkohshme.
Ndërkohë, banorët në disa zona kanë bërë thirrje për më shumë ndihmë dhe angazhim të vullnetarëve për të larguar rrënojat dhe për të kërkuar persona që rezultojnë ende të zhdukur.
Ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në Venezuelë. Ekipe kërkim-shpëtimi nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po marrin pjesë në operacionet në terren, ndërsa shumë shtete dhe organizata humanitare kanë premtuar mbështetje me pajisje, personel dhe ndihma emergjente.

