Shpejtësia mbi normat e lejuara vijon të mbetet një nga shkeljet më të zakonshme në qarkun e Fierit. Vetëm gjatë javës së fundit, Policia Rrugore ka vendosur 1 567 masa administrative për drejtuesit e mjeteve që kanë tejkaluar limitet e shpejtësisë në akset interurbane dhe autostradën A2.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrolleve janë proceduar penalisht 26 persona. Tetë prej tyre u arrestuan në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 18 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa patentë.
Policia ka evidentuar edhe shkelje të tjera të Kodit Rrugor, duke vendosur 57 gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 23 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, 68 për parakalim të gabuar, 26 për drejtim nën efektin e alkoolit, si dhe 479 masa të tjera administrative për shkelje që cenojnë sigurinë rrugore. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit për të parandaluar aksidentet.

