Një incident i përsëritur është regjistruar në Akademinë e Sigurisë, ku 60 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor kanë shfaqur simptoma helmimi dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.
Sipas informacioneve zyrtare, fillimisht 31 kursantë u paraqitën me simptoma si temperaturë dhe diarre gjatë orëve të natës. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata janë rikthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të stabilizuar.
Ndërkohë, gjatë mëngjesit janë raportuar edhe 29 raste të tjera me të njëjtat shqetësime shëndetësore, duke e çuar në 60 numrin total të kursantëve të prekur.
Policia bën me dije se menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur rrethanat e plota të rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.
Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo një shkak tjetër.
Po ashtu, të gjithë kursantëve u janë kryer analizat mjekësore dhe pritet dalja e rezultateve, të cilat do të ndihmojnë në sqarimin e plotë të situatës.


