Për të tretën ditë radhazi, kantieri i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është përfshirë nga tensione dhe përplasje mes kompanive të përfshira në projekt, duke sjellë bllokimin e hyrjeve dhe pezullimin e punimeve.
Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, përfaqësues të kompanisë “2A Group” kanë bllokuar hyrjet dhe aktivitetin brenda aeroportit, ndërsa përfaqësues të kompanisë “MABCO” kanë bllokuar hyrjen kryesore të kantierit. Situata ka krijuar paqartësi mbi vijimin e punimeve në një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në jug të Shqipërisë.
Konflikti mes palëve vazhdon të mbetet i pazgjidhur, ndërsa asnjë marrëveshje nuk është arritur deri tani për rikthimin normal të aktivitetit në kantier. Si pasojë, punimet vijojnë të mbeten të ndërprera, duke ngritur pikëpyetje mbi afatet e përfundimit të aeroportit.
Përfaqësuesi i MABCO, Emin Pacolli, ka deklaruar se kompania disponon një vendim gjykate që i njeh të drejtën për të hyrë në kantier dhe për të vijuar punimet. Sipas tij, bllokimi i hyrjes nga ana e “2A Group” është i paligjshëm dhe rrezikon të përshkallëzojë më tej situatën nëse nuk ndërhyhet për zgjidhjen e konfliktit.
Ndërkohë, deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga pala tjetër lidhur me akuzat dhe pretendimet e ngritura.


