Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë shtuar rrezikun për shëndetin e qytetarëve, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 18:00.
Mjekët këshillojnë qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta, të veshin rroba të lehta me ngjyra të çelëta dhe të përdorin kapele, syze dielli dhe ujë gjatë lëvizjeve jashtë banesës.
Një rëndësi të veçantë i kushtohet hidratimit, pasi temperaturat e larta rrisin rrezikun e dehidratimit. Specialistët rekomandojnë konsumimin e sasive të mjaftueshme të ujit gjatë gjithë ditës, edhe kur nuk ndihet etja.
Po ashtu, këshillohet shmangia e pijeve alkoolike, pijeve të gazuara dhe konsumit të tepërt të kafesë, pasi ato mund të favorizojnë humbjen e lëngjeve nga organizmi.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu konsumimin e ushqimeve të lehta dhe të pasura me ujë, si frutat dhe perimet e freskëta, të cilat ndihmojnë organizmin të përballojë më mirë temperaturat ekstreme.


