Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në aksin rrugor Lezhë–Mabë, ku një qytetar nga Kosova ka humbur jetën, ndërsa dy familjarë të tij kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, kur automjeti që drejtohej nga shtetasi kosovar K.B. është përplasur me një kamion që drejtohej nga shtetasi A.M.
Përplasja rezultoi fatale për drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, motra dhe djali i tij, që udhëtonin në të njëjtin automjet, janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve të para, dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin për shkak të përgjumjes, duke sjellë përplasjen me mjetin e tonazhit të rëndë.
Pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët nisën veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen procedurat e nevojshme hetimore.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar me saktësi shkaqet që çuan në aksidentin tragjik.


