Kupa e Botës 2026 vazhdon të dhurojë emocione dhe momente historike. Lionel Messi shkroi një tjetër faqe të artë në karrierën e tij, ndërsa Franca siguroi me bindje kalimin në fazën me eliminim direkt.
Argentina mposhti Austrinë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e Grupit J, duke siguruar matematikisht kualifikimin për në raundin e 32 skuadrave më të mira. Protagonisti absolut ishte Lionel Messi, i cili realizoi dy gola dhe vendosi një rekord të ri në historinë e Kupës së Botës.
Pas një penalltie të humbur në minutat e para, kapiteni argjentinas reagoi në mënyrën më të mirë duke zhbllokuar sfidën në pjesën e parë. Goli i tij ishte i 17-ti në historinë e Botërorëve, duke lënë pas legjendën gjermane Miroslav Klose. Në minutat shtesë, Messi vulosi suksesin me golin e dytë personal, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si lideri i Argjentinës.
Ndërkohë në Grupin I, Franca nuk hasi vështirësi ndaj Irakut, duke fituar pastër 3-0 dhe duke prerë biletën për në fazën tjetër.

Ylli i mbrëmjes ishte Kylian Mbappé, i cili realizoi dy gola dhe vazhdoi formën e tij të jashtëzakonshme në kompeticion. Sulmuesi francez hapi serinë e golave që në pjesën e parë me një goditje spektakolare nga distanca, ndërsa pas rifillimit të lojës, të ndërprerë për shkak të një stuhie të fortë, shfrytëzoi një gabim të rëndë të mbrojtjes irakiane për të realizuar golin e dytë personal.
Golin e tretë dhe të fundit për Francën e shënoi Ousmane Dembélé, i cili regjistroi golin e tij të parë në një turne madhor me kombëtaren.
Me këto rezultate, Argjentina dhe Franca konfirmojnë statusin e pretendentëve kryesorë për trofeun, ndërsa Messi dhe Mbappé vazhdojnë garën për të qenë figurat kryesore të Botërorit 2026.


