Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në qytetin e Pogradecit, ku një konflikt mes bashkëshortëve ka përfunduar me plagosjen e një gruaje me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në lagjen nr. 4 të qytetit. Dyshohet se shtetasi Renato Xhaja, 30 vjeç, gjatë një konflikti në banesë ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, Bleona Xhaja, 28 vjeçe.
Si pasojë e sulmit, e reja ka marrë plagë në bark dhe në krah. Fillimisht ajo ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ndërsa më pas është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori i dyshuar mund të vuajë nga probleme të shëndetit mendor. Ndërkohë, ai është shoqëruar nga efektivët e Policisë së Pogradecit në ambientet e komisariatit, ku po kryhen veprimet procedurale.
Sipas burimeve, çifti jetonte në Greqi dhe kishte ardhur në Pogradec për të kaluar pushimet pranë familjarëve të tyre.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rastit.


