Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të hëne në zonën e Mjekësit, në Elbasan, ku një automjet tip “Opel Astra “është përplasur me një autobus.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke shkaktuar përplasjen me autobusin që po qarkullonte në të njëjtin aks rrugor. Nga pamjet e siguruara në vendngjarje, dëmet materiale në automjet duken të konsiderueshme.
Deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar për persona të lënduar, ndërsa një ambulancë është parë në vendngjarje për të ofruar ndihmën e nevojshme nëse ka lëndime nga aksidenti.
Ndërkohë, efektivët e Policisë kanë mbërritur në zonë dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për normalizimin e qarkullimit të automjeteve në segmentin ku ndodhi përplasja.


