Situata në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës mbetet e tensionuar, ndërsa kompania “Mabco” dhe biznesmeni Behgjet Pacolli kanë dalë me deklarata publike lidhur me zhvillimet e fundit dhe mosmarrëveshjet që po shoqërojnë projektin.
Në një reagim zyrtar, “Mabco” bëri të ditur se Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” ka miratuar vendime për rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e aeroportit. Kompania thekson se është kërkuar garantimi i aksesit të plotë për ortakët, kontraktorët dhe nënkontraktorët, ndërsa administratori është udhëzuar të mos autorizojë palë të treta që bien ndesh me vendimet e Asamblesë.
Sipas “Mabco”, përfaqësuesit e saj kanë nisur procesin e inventarizimit të aseteve dhe pajisjeve në kantier, por gjatë këtij procesi janë hasur pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe persona të tjerë që pretendojnë të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të ndryshme.
Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK-ut për hetimin e plotë të situatës në aeroport. Ai pretendon se gjatë muajve të fundit kantieri është përballur me uzurpim, dëmtime dhe vjedhje të pajisjeve dhe inventarit të destinuar për funksionimin e aeroportit.
Pacolli deklaron se duhet të hetohen të gjitha veprimet që, sipas tij, kanë dëmtuar investimin dhe kanë cenuar sigurinë juridike të projektit, duke kërkuar që çdo person i përfshirë të mbahet përgjegjës sipas ligjit.
Aeroporti i Vlorës konsiderohet një nga projektet strategjike më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, ndërsa palët e përfshira vijojnë përplasjet mbi administrimin dhe vijimin e punimeve në kantier.


