Spanja ka dhuruar një paraqitje bindëse në Kupën e Botës, duke mposhtur Arabinë Saudite me rezultatin e thellë 4-0 dhe duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kreut të Grupit H.
Pas barazimit zhgënjyes në ndeshjen e parë ndaj Kepit të Gjelbër, skuadra e Luis de la Fuente reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Lamine Yamal hapi serinë e golave që në minutat e para, ndërsa Mikel Oyarzabal ishte protagonisti absolut i sfidës me dy gola dhe një asist. Dominimi spanjoll ishte i plotë gjatë gjithë takimit, ndërsa goli i katërt erdhi pas një autogoli të Hassan Altambaktit në pjesën e dytë.
Me këtë fitore, Spanja rikthehet fuqishëm në garën për vendin e parë në grup, ndërsa Arabia Saudite do të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit ndaj Kepit të Gjelbër.
Ndërkohë, në Grupin G, Irani arriti të marrë një barazim të çmuar 0-0 përballë Belgjikës, duke vazhduar ecurinë pozitive në këtë Botëror.

Edhe pse Belgjika dominoi posedimin e topit dhe krijoi disa raste të mira, portieri Alireza Beiranvand ishte vendimtar me pritjet e tij. Irani pati gjithashtu mundësinë të kalonte në avantazh, madje realizoi një gol që u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga VAR.
Situata u komplikua për belgët në pjesën e dytë, kur Nathan Ngoy u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë. Megjithatë, Irani nuk arriti të përfitonte nga epërsia numerike dhe sfida u mbyll pa gola.
Pas dy ndeshjeve të para, Irani mbetet i pamposhtur dhe mban gjallë shpresat për kualifikim, ndërsa Belgjika rrezikon seriozisht eliminimin e parakohshëm nëse nuk arrin rezultat pozitiv në takimin e fundit të grupit.


