Tirana pritet të jetë sërish këtë mbrëmje në qendër të protestave qytetare, teksa është paralajmëruar zhvillimi i protestës së 22-të radhazi para godinës së Kryeministrisë.
Sipas organizatorëve, qytetarët do të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” në orën 19:00, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku do të zhvillohet tubimi kryesor.
Protesta vjen pas më shumë se tre javësh mobilizim të përditshëm në kryeqytet, ku pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me çështje të ndryshme që lidhen me qeverisjen, korrupsionin dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Organizatorët kanë deklaruar se një nga kërkesat kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi i situatës politike në vend.
Në protestën e kësaj mbrëmjeje pritet të marrin pjesë edhe qytetarë të ardhur nga diaspora shqiptare. Gjatë ditëve të fundit është vërejtur një prani më e madhe e emigrantëve në tubimet e zhvilluara në Tiranë, ku shumë prej tyre kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të Europës për t’u bashkuar me protestuesit.
Ndërsa protesta hyn në ditën e saj të 22-të, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke theksuar se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vijim.


