Një situatë alarmante dhe shqetësuese është denoncuar nga banorët e fshatit Psar në Këlcyrë, ku dhjetëra krerë bagëti të ngordhura janë lënë pranë përroit të zonës, duke krijuar një vatër të mundshme ndotjeje dhe rreziku për shëndetin publik.
Pamjet e siguruara tregojnë kufoma kafshësh të dekompozuara në afërsi të rrjedhës së ujit, ndërsa banorët shprehen të revoltuar për mungesën e reagimit nga institucionet përgjegjëse. Sipas tyre, era e rëndë dhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve po i shqetëson prej ditësh, ndërsa askush nuk ka ndërhyrë për largimin dhe asgjësimin e tyre sipas procedurave.
Qytetarët ngrenë pyetje se si është e mundur që një situatë e tillë të vazhdojë në sy të institucioneve, ndërkohë që strukturat përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe kontrollin veterinar kanë detyrimin ligjor të monitorojnë dhe të ndërhyjnë në raste të tilla.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet lokale dhe institucionet përkatëse në qarkun e Gjirokastrës, duke paralajmëruar se ndotja mund të ndikojë jo vetëm në mjedis, por edhe në shëndetin e familjeve që jetojnë pranë zonës.


