Sezoni veror/ Kufizohet lëvizja e mjeteve të rënda, Policia publikon oraret dhe datat
Me nisjen e sezonit turistik, Policia e Shtetit ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të përkohshme për qarkullimin e mjeteve të rënda në të gjithë vendin.
Masat do të jenë në fuqi nga 19 qershori deri më 15 shtator 2026 dhe synojnë të lehtësojnë trafikun në akset me fluks të lartë lëvizjeje, veçanërisht në zonat bregdetare dhe turistike gjatë fundjavave.
Sipas njoftimit, kufizimet do të zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë në autostrada, rrugë interurbane dhe segmente të caktuara urbane.
Orari i kufizimit është përcaktuar si më poshtë:
Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Ndërsa gjatë festave zyrtare, ndalimi i qarkullimit nis nga ora 15:00 e ditës pararendëse dhe vijon sipas orareve të përcaktuara nga autoritetet.
Policia bën të ditur se nga këto kufizime përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e institucioneve shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme dhe produkte ushqimore që prishen.
Autoritetet u bëjnë thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë masat e vendosura, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e një sezoni veror sa më të qetë për pushuesit dhe qytetarët.


