Një grup shqiptarësh kanë protestuar ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Berlin, ku ndodhej për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, qytetarët ishin mbledhur pranë godinës ku zhvillohej aktiviteti dhe prisnin daljen e kreut të qeverisë. Në momentin që Rama ka dalë nga ambientet e konferencës, protestuesit kanë nisur thirrjet në drejtim të tij.
“Jep dorëheqjen sa më parë”, “Turp” dhe thirrje të tjera kundër qeverisë dëgjohen në videot e publikuara online.
Nga pamjet shihet se kryeministri u është përgjigjur me një përshëndetje me dorë protestuesve, përpara se të hipte në automjetin e tij zyrtar dhe të largohej nga vendi ku po zhvillohej aktiviteti.


