Vijojnë prej orëve të para të mëngjesit kërkimet për gjetjen e trupit të 37-vjeçarit Armando Zajsi, i cili dyshohet se u mbyt aksidentalisht në liqenin e Ulzës teksa lundronte me një mjet tip jetski.
Në operacion janë angazhuar forcat RENEA, palombarët dhe shërbimet e tjera të emergjencës, të cilat po kontrollojnë zonën ku dyshohet se i riu u fundos.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi pasditen e së hënës rreth orës 18:00. 37-vjeçari kishte shkuar në zonë për të kaluar kohën me disa miq dhe në një moment kishte hyrë në liqen për të bërë xhiro me jetski.
Burimet bëjnë me dije se ai është rrëzuar nga mjeti dhe fillimisht ka notuar për disa metra. Kur është përpjekur të rikthehet dhe të hipë sërish në jetski, dyshohet se ka humbur forcat dhe është zhdukur nën ujë.
Shokët e tij kanë tentuar menjëherë t’i vijnë në ndihmë, por distanca nga bregu dhe dinamika e ngjarjes nuk kanë lejuar shpëtimin e tij në kohë.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa operacioni i kërkimit në liqenin e Ulzës vijon pa ndërprerje.


