Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik detar i ndodhur pasditen e së hënës në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.
Sipas burimeve pranë hetimit, i riu ishte diagnostikuar me diabet që në moshën 15-vjeçare dhe prej dy vitesh trajtohej me insulinë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pak para se të hipte në mjetin lundrues, ai kishte marrë dozën e insulinës.
Mjekët dyshojnë se kjo mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij shëndetësore dhe, për pasojë, në humbjen e kontrollit të mjetit lundrues. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit pritet të përcaktohet nga hetimet dhe ekspertizat përkatëse.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:30 në ujërat e Ksamilit, kur mjeti lundrues që drejtohej nga 22-vjeçari u përplas me një skaf të Policisë Kufitare. Pamjet e momentit të aksidentit janë filmuar nga një velierë e huaj e ankoruar në gjirin e Ksamilit.
Ndërkohë, trupi i të riut është transportuar drejt Tiranës, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që tronditi qytetin bregdetar


