Siguria në vendin e punës vazhdon të mbetet një nga problemet më shqetësuese në Shqipëri. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 275 aksidente në punë, ku 48 persona kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë janë plagosur.
Sipas raportit vjetor, nga aksidentet e regjistruara, 212 punonjës kanë pësuar dëmtime të ndryshme gjatë ushtrimit të detyrës. Sektorët më të prekur vijojnë të jenë ndërtimi, minierat, energjia, infrastruktura dhe industria prodhuese, fusha ku rreziku për punonjësit mbetet i lartë.
Përgjatë vitit të kaluar, Inspektorati i Punës ka zhvilluar kontrolle intensive në të gjithë vendin. Janë inspektuar 9,532 subjekte dhe mbi 205 mijë vende pune, me fokus respektimin e standardeve të sigurisë dhe zbatimin e legjislacionit të punës.
Si rezultat i shkeljeve të konstatuara, autoritetet kanë vendosur 268 masa administrative me gjobë, me një vlerë totale prej 64.5 milionë lekësh.
Një tjetër problematikë e evidentuar është punësimi informal. Gjatë kontrolleve janë identifikuar 2,591 punonjës të padeklaruar, ndërsa sipas raportit, rreth 98% e tyre janë formalizuar pas ndërhyrjes së inspektorëve.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së kontrolleve dhe formalizimit të tregut të punës, numri i lartë i viktimave mbetet alarmues. Humbja e 48 jetëve në vendin e punës gjatë vetëm një viti ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e masave të sigurisë nga subjektet dhe nevojën për kontrolle edhe më të rrepta për të parandaluar tragjedi të tilla.


