Një sasi e konsiderueshme lënde narkotike është sekuestruar nga autoritetet greke në zonën kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke ngritur dyshime për riaktivizimin e linjave të trafikimit të drogës nga jugu i vendit.
Sipas raportimeve të mediave greke, gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur dhe sekuestruar 90 pako me kanabis të papërpunuar me peshë totale 96 kilogramë e 74 gramë. Gjithashtu, autoritetet kanë konfiskuar një sasi të vogël kokaine, kanabis të përpunuar, 100 euro cash dhe dy telefona celularë.
Burime nga hetimi dyshojnë se droga është trafikuar nga zona e Sarandës, duke kaluar përmes disa fshatrave të Bashkisë Konispol për t’u futur më pas në territorin grek.
Mediat në Greqi kujtojnë se vetëm tetë ditë më parë, në zonën e Nea Selefkias në Igumenicë, u sekuestruan rreth 110 kilogramë marijuanë, e cila dyshohet se kishte hyrë nga fshati Çiflik i Konispolit.
Seria e rasteve të zbuluara gjatë muajve të fundit ka shtuar dyshimet se rrugët e vjetra të trafikimit të lëndëve narkotike në jug të Shqipërisë mund të jenë riaktivizuar. Sipas të dhënave të raportuara, gjatë 10 muajve të fundit në zonën e Igumenicës janë kapur disa ngarkesa droge me një total prej rreth 540 kilogramësh marijuanë.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa po hetohen edhe lidhjet e mundshme me grupet që operojnë në zonën e Sarandës dhe Konispolit.


