Pak minuta para nisjes së protestës së 15-të qytetare në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, ku ka sqaruar qëndrimin e qeverisë lidhur me investimet e planifikuara në Ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se Sazani mbetet pronë e shtetit shqiptar dhe se nuk është diskutuar asnjëherë shitja e ishullit. Sipas tij, negociatat me investitorët ndodhen ende në proces dhe projekti nuk ka marrë ende formën përfundimtare, ndërsa mungojnë edhe studimet përkatëse mjedisore.
Sa i përket investimit në Zvërnec, kreu i qeverisë sqaroi se territori ku parashikohet zhvillimi është pronë private e regjistruar prej vitesh në kadastër. Ai theksoi se transaksionet janë kryer mes palëve private dhe se pretendimet për pronësinë po shqyrtohen nga gjykata, pa ndikuar në procedurat ligjore të projektit.
Rama hodhi poshtë edhe pretendimet se zona e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë” ka humbur statusin e saj. Sipas tij, kjo zonë vijon të gëzojë mbrojtje ligjore si peizazh i mbrojtur, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Kryeministri deklaroi se institucionet shtetërore kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore të kërkuara, ndërsa projektet ndodhen ende në fazat paraprake të vlerësimit dhe dokumentimit.
Në përfundim të mesazhit, Rama u shpreh se zhvillimi i vendit nuk do të pengohet nga kundërshtimet ndaj projekteve, duke deklaruar se “faktet janë më lart” dhe se përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë pas nuk do të kenë sukses.


