Dokumente të reja të publikuara nga autoritetet amerikane kanë hedhur dritë mbi lidhjet e ngushta që Jeffrey Epstein kishte krijuar ndër vite me figura të industrisë ndërkombëtare të modës dhe modelimit.
Sipas materialeve të bëra publike, agjentë modelingu, rekrutues dhe persona të lidhur me agjenci të njohura i dërgonin vazhdimisht Epstein-it informacione dhe fotografi të vajzave të reja, shumë prej tyre modele aspirante nga vende të ndryshme të botës.
Dosjet sugjerojnë se Epstein shfrytëzonte ndikimin, kontaktet dhe premtimet për karrierë në industrinë e modës për të afruar vajza të reja, disa prej të cilave më vonë kanë deklaruar se janë abuzuar seksualisht prej tij.
Në qendër të hetimeve shfaqen edhe emra të njohur të botës së modelimit, ndërsa autoritetet në disa vende vijojnë të shqyrtojnë rolin që persona të ndryshëm mund të kenë pasur në krijimin e rrjetit të kontakteve të financierit të diskredituar.
Megjithëse shumë prej figurave të përmendura mohojnë të kenë pasur dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein, publikimi i dokumenteve ka rikthyer debatin mbi mënyrën se si industria e modës ka trajtuar prej vitesh akuzat për shfrytëzim dhe abuzim ndaj modeleve të reja.
Hetimet mbi rrjetin e kontakteve të Epstein vijojnë ende, ndërsa dëshmitë e reja po shtojnë presionin për më shumë transparencë dhe përgjegjësi në industrinë globale të modës.
Video Credit CNN


