Një ngjarje e rëndë ka tronditur pushuesit në plazhin Coogee të Sidneit, Australi, ku një grua 35-vjeçare u sulmua nga një peshkaqen teksa ndodhej në ujë.
Sipas mediave australiane, peshkaqeni, i cili dyshohet të ketë qenë rreth 3.5 metra i gjatë, i shkaktoi gruas plagë të rënda në krah dhe në këmbë. Në momentet dramatike pas sulmit, 35-vjeçarja arriti të mbahej pas dërrasës së një roje plazhi, e cila ndërhyri menjëherë për ta nxjerrë nga uji.
Në breg, pushuesit dhe ekipet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë, ndërsa më pas ajo u transportua me helikopter drejt spitalit për trajtim të specializuar.
Autoritetet kanë konfirmuar se gruaja ndodhet në gjendje kritike, ndërsa po merr kujdes intensiv mjekësor.
Pas incidentit, plazhi Coogee u mbyll përkohësisht për arsye sigurie. Ekipet përkatëse nisën monitorimin e zonës detare për të identifikuar praninë e peshkaqenëve dhe për të shmangur rrezikun për pushuesit e tjerë.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin lokal dhe mes turistëve, duke rikthyer vëmendjen te masat e sigurisë në plazhet australiane, ku herë pas here raportohen incidente të ngjashme me peshkaqenë.


