Një incident është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në zonën e Ishull-Shëngjinit, ku një autobus i cili përdorej për turistë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Sipas informacioneve paraprake, autobusi po kthehej nga Shëngjini dhe po lëvizte në një aks alternativ, të zgjedhur nga drejtuesi i mjetit për të shmangur trafikun e rënduar që karakterizon zonën gjatë fundjavave dhe sezonit turistik.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjatë kalimit në një segment të ngushtë rrugor, autobusi është përballur me një automjet që po vinte në kahun e kundërt. Në përpjekje për të shmangur përplasjen, shoferi ka manovruar mjetin, por ka humbur kontrollin, duke dalë jashtë rrugës dhe përfunduar në një kanal anësor.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa pasagjerët dhe drejtuesi i autobusit kanë dalë pa dëmtime. Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe vështirësi të përkohshme në qarkullim.
Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe për nxjerrjen e autobusit nga kanali.


