Një 30-vjeçar nga Maliqi ka denoncuar se është dhunuar nga efektivë të policisë greke pas një keqidentifikimi gjatë qëndrimit të tij në Greqi.
Maldin Maxharin, është paraqitur në Spitalin Rajonal të Korçës me dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas deklarimeve të tij, ngjarja ka ndodhur në zonën e Kalkidhës, ku policia greke e ka ndaluar duke e ngatërruar me një person tjetër që dyshohej për përfshirje në një vepër penale. I riu denoncon se gjatë ndalimit është ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke i shkaktuar lëndime të shumta.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, Maxhari ka kallëzuar rastin pranë autoriteteve shqiptare, duke kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime nga spitali bëjnë me dije se 30-vjeçari ka pësuar trauma në disa pjesë të trupit, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, institucionet kompetente kanë nisur verifikimet për rastin dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes së raportuar.


