Policia e Vlorës ka ndërmarrë një operacion të gjerë në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, duke goditur disa raste të dyshuara të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara në qytetin e Vlorës dhe në zonën e Dhërmiut, dy persona janë arrestuar në flagrancë.
Në Vlorë, uniformat blu vunë në pranga një 33-vjeçar, tek i cili u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri, municion luftarak si dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, e cila dyshohet se ishte e destinuar për shitje.
Ndërkohë, në Dhërmi u arrestua një 18-vjeçar, gjatë kontrollit ndaj të cilit u gjetën sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Sipas hetimeve paraprake, këto lëndë dyshohet se do të shpërndaheshin në zonat turistike të bregdetit gjatë sezonit veror.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi armën e zjarrit, municionin luftarak dhe sasitë e lëndëve narkotike të gjetura tek të arrestuarit.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme që cenojnë sigurinë publike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme hetimore.


