Partia Socialiste ka kremtuar këtë të premte 35-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet të organizuar në Sheshin “Italia” në Tiranë, në një kohë kur vetëm pak metra më larg vijonin protestat e qytetarëve që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Në aktivitet morën pjesë drejtues, themelues dhe anëtarë të Partisë Socialiste, ndërsa i vetmi fjalim u mbajt nga kryeministri Rama. Gjatë ceremonisë u transmetuan gjithashtu materiale filmike që pasqyronin historinë dhe rrugëtimin politik të forcës më të madhe qeverisëse në vend.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Kreu i qeverisë tha se lëvizja qytetare nisi nga reagimet ndaj një investimi strategjik, duke theksuar se projekti në fjalë do të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Sipas tij, debatet e krijuara rreth investimit janë ndikuar edhe nga informacionet dhe interpretimet që qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat, sipas Ramës, kanë krijuar perceptime jo të sakta te një pjesë e qytetarëve.
35-vjetori e gjen Partinë Socialiste në mandatin e saj të katërt qeverisës, ndërsa përvjetori i këtij viti është shoqëruar nga një klimë e fortë politike dhe protesta të vazhdueshme kundër qeverisë.


