Meksika e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën në Botërorin 2026, duke mposhtur Afrikën e Jugut me rezultatin 2-0 në ndeshjen hapëse të turneut.
Përballja e zhvilluar në një atmosferë elektrizuese u dominua në pjesën më të madhe nga vendasit, të cilët kontrolluan ritmin e lojës dhe krijuan rastet më të rrezikshme. Meksikanët mbajtën rreth 60 % të posedimit të topit, ndërsa afrikano-jugorët u fokusuan kryesisht te kundërsulmet.
Goli i parë erdhi që në minutën e 9-të, kur Julian Quiñones përfitoi nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare dhe dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën në stadium. Pas avantazhit të hershëm, Meksika vijoi të ushtronte presion dhe iu afrua disa herë golit të dytë, ndërsa Afrika e Jugut tentoi të reagojë por pa sukses.
Në pjesën e dytë, ndeshja u komplikua për afrikanët. Në minutën e 49-të, Yaya Sithole u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Epërsia numerike i dha më shumë hapësira Meksikës, e cila vulosi fitoren në minutën e 67-të me Raul Jimenez. Sulmuesi shfrytëzoi në mënyrën më të mirë një krosim të Roberto Alvarados dhe me kokë realizoi golin e dytë të takimit.
Minutat e fundit prodhuan tension dhe episode të forta. Pas ndërhyrjes së sistemit VAR, Themba Zwane i Afrikës së Jugut u përjashtua me karton të kuq në minutën e 84-t, ndërsa në kohën shtesë edhe Cesar Montes i Meksikës u ndëshkua me të kuq, duke mbyllur këtë sfidë të ashpër me tre kartonë të kuq.
Me këtë sukses, Meksika merr tre pikët e para në Grupin A dhe dërgon një sinjal të qartë për rivalët, ndërsa Afrika e Jugut do të kërkojë reagimin në ndeshjet e ardhshme për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.


