Kjo është Antika Bylyshaj Velaj, 27-vjeçarja që humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, një ngjarje që ka tronditur jo vetëm qytetin bregdetar, por edhe opinionin publik.
Nënë e dy fëmijëve të mitur, Antika ndërroi jetë pasi ra nga kati i gjashtë i një pallati. Ajo u transportua me urgjencë drejt spitalit, ku mjekët luftuan për t’i shpëtuar jetën, por plagët e marra rezultuan fatale.
Teksa familja përgatitet t’i japë lamtumirën e fundit 27-vjeçares, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, familjarët kanë shprehur dyshime se kohët e fundit e reja kishte shfaqur shenja depresioni. Po ashtu, burime jozyrtare bëjnë me dije se 27-vjeçarja mund të ketë vuajtur nga epilepsia, megjithatë ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ndërkohë, banorë të zonës pretendojnë se pak çaste para ngjarjes kanë dëgjuar ulërima që vinin nga pallati ku ndodhi tragjedia. Këto dëshmi mbeten ende për t’u verifikuar nga grupi hetimor.
Pikërisht këto elemente kanë ngritur diskutime mes qytetarëve, të cilët kërkojnë që të hetohen me kujdes të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe të administrohet çdo provë apo dëshmi që mund të ndihmojë në zbardhjen e saj.
Aktualisht, autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që i mori jetën një nëne të re dhe la pas dy fëmijë të mitur.


