Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të enjteje në portin e Gaios, në ishullin grek Paxos, ku dy anije turistike janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar momente paniku mes banorëve dhe turistëve të pranishëm në zonë.
Sipas mediave greke, zjarri ka shpërthyer fillimisht në motorin e një katamarani turistik. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të materialeve të djegshme dhe erës, duke përfshirë edhe një anije druri ekskursionesh që ndodhej e ankoruar pranë.
Fatmirësisht, tragjedia u shmang në momentet e fundit. Pasagjerët e anijes së ekskursionit kishin zbritur pak çaste më parë në port, pas përfundimit të itinerarit turistik Pargë–Paxos. Ndërkohë, katër turistë, shtetas amerikanë dhe britanikë, që ndodheshin në katamaran, arritën të largoheshin në kohë dhe nuk pësuan lëndime.
Sipas dëshmitarëve, kapiteni i anijes u përpoq fillimisht të shuante zjarrin, por përballë përhapjes së shpejtë të flakëve u detyrua të hidhej në det për të shpëtuar jetën.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse, ambulancat dhe Policia Portuale, të cilat ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit te mjetet e tjera lundruese të ankoruara në port.
Si pasojë e dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarri, njëra prej anijeve është fundosur pjesërisht në ujërat e portit. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të incidentit.


