Botërori 2026 do të zhvillohet për herë të parë me 48 kombëtare pjesëmarrëse, një format që pritet të ndryshojë ndjeshëm dinamikën e fazës së grupeve.
Me zgjerimin e turneut, jo vetëm dy skuadrat e para të çdo grupi do të sigurojnë kalimin më tej, por edhe tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë. Kjo rrit ndjeshëm shanset për kualifikim dhe i jep peshë të veçantë çdo ndeshjeje në grup.
Ekspertët e futbollit presin që kombëtaret favorite si Spanja, Franca, Brazili, Anglia, Argjentina dhe Gjermania të kalojnë pa shumë vështirësi fazën e parë dhe të synojnë fazat vendimtare të turneut.
Në këtë format të ri, ekipet e mëdha pritet të grumbullojnë pikë të rëndësishme që në ndeshjet e para, ndërsa rivaliteti më i fortë mund të zhvillohet mes skuadrave që luftojnë për vendet e treta kualifikuese.

Botërori që do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë premton më shumë ndeshje, më shumë emocione dhe një garë më të hapur për ekipet që synojnë të shkruajnë histori në arenën më të madhe të futbollit botëror.
Meksika dhe Afrika e Jugut do të hapin siparin e Botërorit 2026 më 11 qershor në orën 21:00, në një ndeshje që do të zhvillohet në Mexico City Stadium..


