Lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar ditën e sotme në Gjirokastër, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën në një pishinë private pas incidentit, policia ka arrestuar pronarin e subjektit “GLOW”, Ermal Koko, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për shkelje të kushteve të sigurisë në aktivitet.
Sipas raportimeve në media, arrestimi i tij është kryer me urdhër të prokurores së çështjes Nertila Myftaraj dhe është ekzekutuar nga Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore dhe prokuroren e gatshme. Ndaj tij dyshohet për përgjegjësi lidhur me funksionimin e pishinës dhe masat e sigurisë për pushuesit.
Viktima, 15-vjeçari Arber Peçi, kishte shkuar për t’u larë së bashku me dy shokë. Sipas dëshmive paraprake, pasi është futur në ujë, ai ka shfaqur shenja vështirësie dhe më pas është parë në gjendje të rënduar brenda pishinës. Raportohet se personat e pranishëm nuk kanë arritur t’i japin ndihmën e menjëhershme, ndërsa i mituri ka ndërruar jetë pak më vonë.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Dyshohet për një problem shëndetësor të mundshëm, përfshirë infarkt, por përgjigja përfundimtare pritet të vijë nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Pas ngjarjes, janë nisur hetimet edhe ndaj subjektit privat, për të verifikuar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë, përfshirë praninë e personelit të kualifikuar dhe masat emergjente në rast rreziku.
Në kuadër të hetimeve, raportohet se në polici janë shoqëruar disa persona, mes tyre edhe dy shokët e të miturit dhe anëtarë të stafit të pishinës. Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes së rëndë.


