Është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Sarandë ish-oficeri i Krimeve për zonën e Ksamilit, Irakli Koçiaj, i cili ishte shpallur në kërkim që prej 25 majit.
Koçiaj ishte në kërkim pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Sarandës, nën dyshimet për veprën penale “shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka favorizuar ndërtimet pa leje në zonën e Ksamilit, një prej zonave më të lakmuara turistike në jug të vendit.
Hetimet për këtë dosje kanë çuar deri tani në arrestimin e 8 ish-efektivëve të Policisë së Sarandës, të dyshuar si të përfshirë në të njëjtën skemë. Dy prej tyre, përfshirë ish-Shefin e Komisariatit, ndodhen në burg me masë sigurie 30 ditë, ndërsa pritet rivlerësimi i masës në ditët në vijim. 5 të tjerë janë vendosur në “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, 4 punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Sarandë vijojnë të jenë në kërkim.
Hetimet për dosjen vijojnë, ndërsa priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.


