Një ngjarje e rëndë është raportuar këtë të diel, pasi në ujërat e lumit Mat, në fshatin Zenisht të Burrelit, është gjetur i pajetë një person që dyshohet të jetë Flamur Kolmarku, ish-ushtarak karriere dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës.
Sipas informacioneve paraprake, 55-vjeçari ishte shpallur i humbur prej disa ditësh, pasi ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë pa lënë asnjë gjurmë. Familjarët kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve dhe të qytetarëve për lokalizimin e tij, ndërsa kërkimet kishin vijuar në disa zona të vendit.
Trupi i pajetë u konstatua nga banorë të zonës së Zenishtit, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe ekipet mjekësore, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi dhe transportimin e tij drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Burime paraprake bëjnë me dije se viktima dyshohet të jetë Flamur Kolmarku, megjithatë identifikimi zyrtar pritet të konfirmohet pas ekspertizës mjeko-ligjore.
Sipas familjarëve, Kolmarku vuante nga demenca dhe probleme të theksuara me kujtesën. Mjekët që e kishin ndjekur kishin vlerësuar se ai mund të ishte orientuar drejt zonave ku kishte jetuar më parë, pasi persona me këtë gjendje shpesh rikthehen në vende të lidhura me kujtime të hershme.
Të dhënat e fundit para zhdukjes tregonin se 55-vjeçari ishte parë duke lëvizur nga Bulqiza në drejtim të Burrelit dhe më pas në aksin Burrel–Urakë.
Flamur Kolmarku ka shërbyer për më shumë se 20 vite në Gardën e Republikës, ku ka mbajtur funksione drejtuese dhe ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë së institucioneve më të larta shtetërore.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa shkaku i vdekjes do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.


