Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të diel në aktivitetin e organizuar me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në Elbasan.
Gjatë fjalës së tij, Rama ndaloi për pak çaste për t’iu drejtuar një personi në sallë, i cili mbante një parullë që lidhej me debatin për projektin në Zvërnec.
“Ule atë, ule. Bravo! Thashë ta ulni atë parullën, meqë shkruanit: ‘Çfarë ka Vlora, ta bëjmë dhe ne forca’. Vlora, duke filluar nga ata që janë pjesë e atij zhvillimi, janë të gjithë për atë zhvillim. Mos i ngatërroni këto gjëra”, u shpreh kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur projekti i propozuar në zonën e Zvërnecit ka nxitur debate dhe reagime të ndryshme publike. Kryeministri theksoi se qytetarët e Vlorës dhe personat e përfshirë në projekt e mbështesin zhvillimin e zonës, duke kërkuar që çështja të mos keqinterpretohet.
Aktiviteti në Elbasan u zhvillua në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ku morën pjesë drejtues politikë, deputetë, përfaqësues vendorë dhe mbështetës të forcës politike.


