Afrim Tafa nuk do të jetë më në krye të Policisë së Durrësit, pasi këtë të mërkurë është vendosur shkarkimi i tij nga kjo detyrë.
Sipas burimeve për mediat, ai është caktuar në një pozicion tjetër brenda strukturave të rendit, konkretisht si shef sektori pranë Interpol, një detyrë që e ka ushtruar edhe më parë.
Lëvizja vjen pas pezullimit të tij disa ditë më parë, së bashku me dy zyrtarë të tjerë të Policisë së Durrësit, në vijim të ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e ish-Kënetës.
Aksidenti tragjik, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, 9 dhe 12-vjeç, dhe një tjetër mbeti i plagosur, shkaktoi reagime të forta publike dhe ngriti pikëpyetje mbi mënyrën e reagimit të strukturave policore, sidomos pas sinjalizimeve të mëhershme nga banorët e zonës.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet e mëtejshme në lidhje me përgjegjësitë institucionale për këtë ngjarje të rëndë.


