Aksi Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të kushtueshme rrugore në vend, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në simbol të dështimit dhe problematikave serioze në infrastrukturë.
Në Kthesën e Trebinjës është regjistruar një tjetër shembje masive, duke nxjerrë në pah dëmtime të konsiderueshme të trupit të rrugës dhe cilësi të dyshimtë punimesh. Situata në terren paraqitet alarmante, sidomos në Lotin 2 të këtij aksi, ku në disa segmente asfaltit i është ulur ndjeshëm niveli, duke krijuar rrezik real për qarkullimin e automjeteve.

Problematikat nuk janë të reja. Vetëm rreth 500 metra më tej, një tjetër dëmtim i raportuar që në muajin janar mbetet i pandërhyrë, duke u përkeqësuar me kalimin e kohës. Aktualisht, qarkullimi në disa pika kryhet vetëm në një korsi, duke e kthyer segmentin në një rrugë të ngushtë dhe të pasigurt, larg standardeve të një aksi kombëtar.
Loti i dytë i këtij projekti është ndërtuar nga kompania “ALB-BUILDING”, ndërsa Loti i parë nga “2T”. Të dy segmentet, megjithëse pjesë e një investimi që kap vlerën e rreth 260 milionë eurove, po përballen me probleme të përsëritura strukturore që kanë ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës janë përballë pyetjes kryesore që ngrihet nga qytetarët: si është e mundur që një investim i kësaj shkalle të shfaqë dëmtime të tilla vetëm pak kohë pas ndërhyrjeve apo inaugurimeve në segmente të ndryshme?
Ndërkohë, ndërsa në terren vijojnë ndërhyrje të pjesshme dhe “arnime” të herëpashershme, banorët dhe drejtuesit e mjeteve përballen çdo ditë me një rrugë që po degradon, duke rikthyer debatet mbi cilësinë e projekteve publike dhe menaxhimin e fondeve të mëdha infrastrukturore.


